Arrestohen dy vëllezër në Deçan - përveçse kanosën policët, njëri dyshohet edhe për vjedhje
Dje në një qendër tregtare në Deçan ka ndodhur një vjedhje e armatosur.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe i janë sekuestruar një armë, një karikator dhe një brisk.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë, Stacioni Policor në Deçan, më datë 29.12.2024, ka pranuar informacion se në një qendër tregtare në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Deçan, një person ka kryer vjedhje dhe i njëjti është i armatosur. Njësitet relevante të Stacionit Policor në Deçan menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar të dyshuarin dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: një (1) armë e llojit Canik kal. 9 mm, një (1) karikator i së njëjtës armë dhe një (1) mjet i mprehtë (brisk)”.
Policia thotë se gjatë arrestimit i dyshuari i ka kanosur policët.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku policët janë kanosur nga vëllai i të arrestuarit.
Edhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime DRP Pejë dhe njësitet e tjera është kryer kontroll/bastisje, në shtëpinë e personit të dyshuar në fshatin Strell i Ulët Deçan, gjatë bastisjes zyrtarët policorë janë kanosur nga i dyshuari (vëllai i të dyshuarit të parë), i dyshuari është arrestuar dhe pas inetrvistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”.