Shqipëria arreston 163 efektivë, 444 punonjës policie në prokurori

Shqipëria arreston 163 efektivë, 444 punonjës policie në prokurori

Kronika December 26, 2024 - 21:30

Fokusi i hetimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Shqipëri nga janari deri në dhjetor të këtij viti ka qenë korrupsioni në radhët e policisë, shpërdorimi i detyrës, si dhe lidhjet që ata kanë me persona të inkriminuar, apo personazhe të botës së krimit.

Gjatë vitit 2024, AMP ka bërë në prokurori 291 referime për 444 punonjës policie, për vepra të ndryshme penale, transmeton klankosova.tv.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2024 është rritur ndjeshëm numri i efektivëve të arrestuar me masë sigurie të dhënë nga gjykata në masën prej 60%.

Gjatë këtij viti janë arrestuar 163 persona, nga 102 të arrestuar një vit më parë. Referuar të dhënave, shifrat tregojnë një rritje të numrit të efektivëve të përfshirë në paligjshmëri në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të vitit 2023, ku ka pasur 223 referime për 319 efektivë. Të dhënat tregojnë se nga viti në vit janë rritur ndjeshëm referimet penale, me 25 %, si dhe 32 % të numrit të punonjësve të referuar.

Me rritje sipas A2cnn, ka qenë edhe hetimi me anë të përgjimeve dhe metodave proaktive, me 33 % në krahasim me vitin 2023. Hetimet kanë treguar se të implikuar në korrupsion e shpërdorim detyre kanë qenë jo vetëm inspektorë dhe efektivë të rangjeve të ulëta, por edhe drejtues policie.

Gjatë këtij viti, ka rezultuar se si i implikuar në aktivitete kriminale një drejtues i nivelit të lartë, dy drejtues të nivelit të mesëm dhe 33 drejtues të nivelit të parë, të gjithë në funksionet drejtor drejtorie e shefa sektorësh në strukturat qendrore dhe vendore të policisë.