Policia sekuestron armë dhe municion pas një rasti të kanosjes në Rahovec
Foto: PK

Policia sekuestron armë dhe municion pas një rasti të kanosjes në Rahovec

Kronika December 23, 2024 - 08:51

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme një person është kanosur nga një i dyshuar.

Policia kishte informata se i dyshuari posedonte armë në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të Rahovecit, ku edhe është kryer një kontroll në shtëpinë e tij, raporton Zeri.info.

“Më datën 22 dhjetor 2024, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një raportim lidhur me një rast të kanosjes. Viktima, mashkull i moshës madhore, ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari, po ashtu mashkull i moshës madhore, e kishte kanosur. Lidhur me ankesën, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, pasi kishte dyshime se i dyshuari posedonte armë zjarri në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të komunës së Rahovecit. Në konsultim me prokurorin kujdestar, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objekteve përcjellëse në pronësi të të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Po ashtu gjatë kontrollit Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie dhe 25 fishekë, një pistoletë dhe 25 fishekë, një pushkë ajrore dhe një pistoletë për sinjalizim me zë.

“Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe i njëjti është ndalur në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.