Dy përleshje mes dy grupeve në Fushë-Kosovë, njëri person plagoset me armë dhe tjetri lëndohet
Një person ka pësuar lëndime të rënda në këmbë nga arma e zjarrit dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore gjatë dy përleshjeve mes dy grupeve të ndryshme në Fushë-Kosovë, të ndodhura në dy ditë të ndryshme.
Ngjarjet janë raportuar nga Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të shtunën, 14.12.2024, rreth orës 23:30.
Po ashtu thuhet se i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, i cili më pas është liruar.
“Është raportuar për një përleshje në mes dy grupeve ku si pasojë një person mashkull kosovar është plagosur në këmbë nga arma e zjarrit, i cili pas trajtimit mjekësor në QKUK është liruar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Ndërsa të dielën rreth orës 18:00 u raportua për një tjetër përleshje në mes dy grupeve, ku si pasojë lëndime trupore ka pësuar një person, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
“Fushë-Kosovë, 15.12.2024 - 18:00. Raportohet se pas një përleshjeje në mes dy grupeve, si pasojë lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, derisa njësitë policore janë duke u marrë me procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.