Një person i tretë i shpëtoi plumbave, detaje nga atentati ndaj shqiptarëve në Greqi
Mediat greke kanë publikuar detaje të reja nga atentati mafioz ndaj dy shqiptarëve ditën e sotme në Athinë.
Viktimë e atentatit mbeti Irakli Davella, ndërs Edi Lolo u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 jashtë ambienteve të një lokali në lagjen Thrakpmakedones.
Nga mënyra se si ndodhi atentati, duket se autorët e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur.
Para krimit, ata vodhën një makinë, u drejtuan për në zonë, iu afruan viktimave dhe filluan të qëllojnë.
Informacionet nga burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën ishte pronar lokali në Peristeri, raporton Vizionplus.
Policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të botës së krimit, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafias greke.
Nga ana tjetër, Edi Lolo i cili mbeti i plagosur rëndë sapo ishte kthyer nga Dubai në Greqi.
Hetuesit kanë dyshime se objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Lolo.
Ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta eliminojë.
Vlen të theksohet se, sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe Edi Lolon, 46 vjeç, ka qenë edhe një person që nuk është prekur nga plumbat.