Rrëfimet e grave të arrestuara në Shkodër: Na thirrën për sherbel, na kapi policia si punëtore kanabisi

Rrëfimet e grave të arrestuara në Shkodër: Na thirrën për sherbel, na kapi policia si punëtore kanabisi

Kronika December 14, 2024 - 22:23

Këtë të shtunë  u shfaqën rrëfimet e disa grave të arrestuara si punonjëse në ferma kanabisi por që sipas tyre ato nuk punuan asnjë ditë.

Një nga gratë, Danjela, e cila ndodhet në arrest shtëpie pasi çështja i ka kaluar SPAK-ut tregon historinë e saj duke thënë se e kanë akuzuar si rekrutuesen e grave por në të vërtetë sipas saj ajo është për vete e rekrutuar.

“Njoftimin për punë e morëm nëpërmjet shoqeve, se normale na duhet punë por pa e ditur se ku kam shkuar, thjesht na thanë sherebel dhe do merrnim 20-30 mijë lekë të vjetra në ditë. Udhëtova natën dhe sapo zbritëm në mëngjes menjëherë na rrethuan forcat e policisë. Ishte dita e parë, sapo mbërritëm vjen në sekonta policia dhe bashkë me shoqet që ishim u futëm poshtë një plasmasi të vogël që kishte domate dhe speca. Ne na e kishin rekomanduar disa shoqe që do shkonim për të punuar me sherebel dhe nuk e dinim ça na priste plus për ne ishte dita e parë dhe nuk kishim punuar ditë tjetër. Nuk kemi arritur të punojmë dhe as të shohim se çfarë do punonim se ne nuk punuam fare, na arrestoi direkt policia sapo zbritëm, thjesht u mashtruam se do të punonim me sherebel por as me atë nuk punuam”, thotë Danjela për Euronews Albania.

 

Ndërsa Drita thotë se ishte me disa shoqe në autobus dhe njëra prej tyre i ftoi të shkonin për punë në Shkodër.

“Ishim në autobus me disa shoqe dhe njëra prej tyre thotë se na kanë ofruar punë për të mbledhur sherebel në Shkodër. Ishim rreth 10 gra që shkuam për herë të parë dhe sa zbritëm na shoqëruan në polici dhe ne nuk njohim asnjeri. Na thanë që për punën me sherebel do merrnim rreth 50 mijë lekë të vjetra por sapo zbritëm në një oborr tek një serë erdhën na morën, nuk kemi punuar asnjë ditë, thjesht jemi mashtruar dhe jemi përballuar me atë situatë”, thotë Drita.

Ndërsa Fatmija thotë se disa gra në Kamëz që ishin mbledhur i thanë se do shkojmë të gjitha të punojmë për të mbledhur sherebel.

“Na thanë disa gra në Kamëz dhe duke qenë se ishim hallexhie pranuam dhe u nisëm bashkë me ato. Sapo zbritëm aty erdhi menjëherë policia. U nisëm me një furgon dhe na thanë se do punonim 3-4 ditë. Ne akuzohemi për  tjetër gjë ndërsa ne shkuam për sherebel. Gratë e tjera nuk i njohim, as hashashin nuk e njohim, dhe ne nuk punuam se direkte erdhën policia, të gjitha gratë ishin si punëtore që presupozohet të punonim për sherebele”, thotë Fatimja.

Edhe Humrja tregon të njetin verison me Fatimen ku sipas saj nga halli shkuan të punonin për sherebel në Shkodër pas ftesës që ju bënë disa gra në Kamëz, por që thotë se i kapi policia dhe nuk arritën të punonin fare.