Gjykata e lë të lirë asamblistin Gëzim Sveçla, refuzon kërkesën për arrest shtëpiak
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale për të pandehurin Gëzim Sveçla, për veprën penale “Asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”.
Gjykata ka njoftuar se gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehuri G.S. lirohet të mbrohet në liri.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më datë 09.12.2024, rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S., anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur te tavolina e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’rast të dëmtuarit Kuvendit të Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm material.
Gjykata, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, ka njoftuar gjykata. /Zëri