“E vrava gruan, dërgoje një patrullë”- Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarit që vrau bashkëshorten e tij në Pejë

“E vrava gruan, dërgoje një patrullë”- Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarit që vrau bashkëshorten e tij në Pejë

Kronika December 08, 2024 - 18:35

Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.

Në dosje ne prokurorisë të siguruar nga“Betimi për Drejtësi”, thuhet se Lajqi, akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në polici duke iu thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024 rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga sëmundja e kancerit, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbes vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka, me ç’rast derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës.

“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë.

Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173 par. 1 pika 1.3 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi se ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën- pistoletën model “Zoraki 917-T” me karikator, në atë mënyrë që i pandehuri me armën e cekur si më lartë ka privuar nga jeta viktimën – bashkëshorten e tij Gj.U.

Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi