Bashkë me grupin e Dragan Jabllanoviqit, dënohet edhe drejtor i prokurimit në Komunën e Skenderajit

Bashkë me grupin e Dragan Jabllanoviqit, dënohet edhe drejtor i prokurimit në Komunën e Skenderajit

Kronika December 07, 2024 - 12:28

Nën akuzën për pjesëmarrje në grupin kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, bashkë me ish-kryetarin e Leposaviqit Dragan Jabllanoviq, me 2 vjet e 6 muaj burgim u dënua edhe Haxhi Bejta, aktualisht Drejtor i Prokurimit në Komunën e Skenderajt.

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten shpalli aktgjykimdënues ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Bashkë me Jabllanoviqin, aktgjykimi dënues u shpall edhe për 13 të akuzuarit tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

Pjesë e këtij grupi, ishte edhe Haxhi Bejta, i cili aktualisht mbanë pozitën e drejtorit të prokurimit në Komunën e Skenderajt. Bejta u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Periskopi ka kontaktuar kryetarin e Skenderajit, Fadil Nuren, për ta pyetur se çfarë do të ndërmarrin pas vendimit ndaj drejtorit tëprokurimit.

“Ai sigurisht që tërhiqet prej përgjegjësive që ka deri në një vendim të shkallës së dytë. Besoj të hënën sigurisht personi në fjalë në këtë rast zotëriu do të tërhiqet prej përgjegjësive që ka. Të hënën me vjen aktgjykimi edhe personi tërhiqet, dhe është e vërtetë  ajo çka është, po derisa ta kem aktgjykimin në dorë edhe formal, atëherë masat do të jenë konform përgjegjësive politike, morale dhe ligjore”, tha Nura për Periskopin.

Haxhi Bejta, edhe pse tashmë një kohë i pensionuar ka marr pozitën e drejtorit të Prokurimit në komunën e Skenderajt, pasi kryetari Fadil Nura e shndërroi jashtëligjshëm Zyrën e Prokurimit në drejtori dhe post politik.

Për rastin e Bejtës, përmes një videoje ka reaguar edhe kryetari i Listës Ideal në Skenderaj, Nuredin Lushtaku. Sipas tij, “kur Bejta doli në pension, nuk guxuan ta qojnë në shtëpi, por për tëkrijuan drejtori të re”.

I pyetur për akuzat e Nuredin Lushtakut se “Nura nuk guxon ta shkarkoj Haxhi Bejtën”, kryetari i Skenderaj i vlerësoi të ulëta deklaratat e tij.

“Më së paku me intereson çka thotë Nuredin Lushtaku, bash më së paku, as nuk i komentoj, janë nivele të ulëta këto deklarime të tij”, tha Nura për Periskopin.

Aktakuza e ngarkonte Haxhi Bejtën për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar bashkë me ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.