Prokuroria e Hagës ngre aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, arrestohen tre persona të tjerë
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën dyshimin për pengim të drejtësisë, dhe se i ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Në një njoftim për media, ZPS-ja tha se i ka arrestuar ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është urdhëruar të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, thuhet në njoftim.
“Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, tha Prokuroria.
Ajo tha se Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – do të paraqitet para një gjykatësi të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.
Aktakuza e re ndaj ish-kryeministrit dhe presidentit të Kosovës Thaçi dhe arrestimit të Smakajt, Kilajt e Fayliut dhe fletëthirrjes për Kucin, vijnë një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
“Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, tha ZPS-ja të premten.
Ajo shtoi se Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara, pasi ato kanë ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit. /REL