Prokuroria për arrestimin e shtetasit të Serbisë, që dyshohet se përgatiti vrasjen e një gruaje: Po grumbullojmë provat

Prokuroria për arrestimin e shtetasit të Serbisë, që dyshohet se përgatiti vrasjen e një gruaje: Po grumbullojmë provat

Kronika December 06, 2024 - 14:16

Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar lidhur me rastin e arrestimit të një shtetasi të Serbisë në Fushë-Kosovë, nën dyshimin se ka përgatitur vrasjen e një gruaje, është prezantuar rrejshëm dhe ka mashtruar, por pa dhënë detaje.

Nga kjo prokurori i kanë thënë Gazetës Express se rasti është nën hetim dhe meqë janë në fazën e grumbullimit të provave, s’mund të jepen më shumë informata.

“Lidhur me pyetjen tuaj, mund të konfirmojmë se një person është arrestuar për veprat penale të theksuara si në raportin 24 orësh, kurse rasti është duke u hetuar nga ana e prokurorit të çështjes dhe për momentin duke marrë parasysh faktin që jemi në fazën e grumbullimit të provave nuk mund të jepen më shumë informata lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigje.

Për arrestimin e tij njoftoi Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh drejtuar mediave. Aty u tha se është bastisur edhe banesa e tij, ku janë sekuestruar disa dokumente.

“Përgatitje e veprës penale ‘Vrasje’ & P’rezantim i remë si person zyrtar’ & ‘Mashtrim’ – Fushë-Kosovë / 03.04.2024 – NN. Më 05.12.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat e lartcekura. Lidhur me rastin gjatë kontrollit në banesën e tij si prova materiale janë sekuestruar dokumente të ndryshme. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.

Sipas raportimeve në media, personi i arrestuar është Remzija Bejic, rreth 53-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Në këto raportime thuhet se i njëjti dyshohet se nga muaji prill dhe në vazhdimësi është prezantuar te disa qytetarë si zyrtar i lartë i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Duke u thirrur në dosjen për këtë rast, mediat raportojnë se Bejici dyshohet se edhe ka planifikuar vrasjen e një gruaje, shtetase të Kosovës, me pretendimin se e njëjtë gjoja po punon kundër interesave të vendit dhe duhet të vritet.

Përveç këtyre dy veprave penale, ai ngarkohet edhe me veprën “Mashtrimi”. Sipas raportimeve, ai dyshohet se e ka kryer këtë vepër duke bërë shitblerje të pronave në Mal të Zi, me veprime të jashtëligjshme.

Këto raportime nuk janë konfirmuar deri tash.