Apeli e kthen në rigjykim rastin për krime lufte ndaj Çaslav Joliqit, ishte dënuar me 8 vjet burgim
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Çaslav Joliqit, i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burgim për krime lufte në qytetin e Istogut.
“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të C.J., avokatit Miodrga Brkljaç, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë… i datës 22.06.2024 anulohet dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në vendimin e marrë më 4 nëntor 2024 nga Gjykata e Apelit.
Fillimisht, në vendim theksohet se ankesë ndaj vendimit të Themelores ka parashtruar avokati Brkljaq për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, me kërkesë që vendimi të ndryshohet, të lirohet i akuzuari ose çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përgjigje ndaj ankesës së avokatit ka paraqitur Prokuroria Speciale më propozim që vendimi i Themelores të vërtetohet, ndërkaq ankesa e avokatit Brkljaq të refuzohet si e pabazuar.
Ndaj ankesë së avokatit Brkljaq, Prokuroria e Apelit ka paraqitur parashtresën përmes të cilës ka kërkuar që ankesa të refuzohet dhe vendimi i Themelores të vërtetohet si dhe përgjigjja e Prokurorisë Speciale të trajtohet si e bazuar.
Pas marrjes së ankesës dhe përgjigjeve ndaj ankesës, Apeli ka caktuar dhe mbajtur seancën e kolegjit ku kanë prezantuar të dëmtuarit Zef Malësia dhe Nexhmedin Curraj, i akuzuari Joliq me avokatin Brkljaq, ndërkaq nuk ka prezantuar askush nga Prokuroria e Apelit.
Apeli ka konstatuar se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e tij, ku nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete për faktet vendimtare të çështjes penale ndaj Joliqit.
Tutje, thuhet se goditja në kokë që ka pretenduar i dëmtuari Malësia se i është shkaktuar nga i akuzuari Joliq siç është përshkruar edhe në arsyetim, ndërkaq në dispozitivin e vendimit thuhet se goditja ka ndodhur nga një person me nofkën “Dulle”.
Prandaj, sipas Apeli ka kundërthënie midisi dispozitivit të vendimit dhe deklarimeve të të dëmtuarit Malësia, duke mos u vërtetuar se goditja a është shkaktuar nga i pandehuri Joliq.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se nga deklarata e të dëmtuarit Naim Ferati nuk është vërtetuar se cili ishte veprimi inkriminuesi i të akuzuarit Joliq për çka edhe është shpallur fajtor.
Apeli ka kërkuar që në rigjykim të analizojë secilën provë një nga një dhe pas vlerësimit përfundimtarë të shpjegojë se pse gjykata i konsideron të besueshme dhe objektive apo pse nuk i çmon si të tilla provat.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se deklarata e të dëshmitarit Curraj në prokurori fillimisht kishte thënë se në makinë kishin hyrë dy persona, Llaza dhe një tjetër, ndërkaq në shqyrtim gjyqësorë ka deklaruar se në makinë ka qenë Llaza dhe personi me emrin Joliq.
Për çka sipas Apelit vendimi i Themelores është bërë i paqëndrueshëm dhe i përfshirë në shkelje esenciale.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.