Dy kosovarë dënohen për mashtrim, ia kishin marrë priftit mbi 300 mijë franga
Dy kosovarë janë shpallur fajtorë për mashtrim nga Gjykata Penale e Luzernit. Ata e kishin mashtruar një prift duke ia marrë mbi 300 mijë franga.
I akuzuari i parë, një burrë 38 vjeçar u dënua me 20 muaj burgim efektiv, pasi thuhet se “pensionisti invalidor”, në periudhën 2014 -2018-të ia kishte marrë priftit “hua” 150 mijë franga.
Si shkak i varësisë nga bixhozi, sipas vendimit të shpallur nga Gjykata e Luzenit ai duhet t’i nënshtrohet edhe trajtimit ambulator, transmeton Klankosova.tv
Edhe i akuzuari tjetër, po ashtu nga Kosova raportohet se kishte borxhe të mëdha. Ai u dënua me 27 muaj burgim me kusht.
Siç raportojnë mediat zvicerane, i njëjti kishte marrë “hua” nga prifti 20 herë, një vlerë totale prej 165 mijë frangash.
Gazeta “Zofinger Tagblatt”, në një artikull thekson se këta mashtrues e kishin vënë nën presion priftin me rrëfimet e tyre.
“Pensionisti invalidor”, ishte ankuar rreth borxheve të mëdha që kishte dhe se kërcënohej me burgim.
Arsyeja e huazimeve ishte se atij, i duheshin para për të vizituar të afërmit e sëmurë në Kosovë.
Derisa burri tjetër nga Kosova, raportohet se i kishte kërkuar priftit para për ta nisur biznesin e ri të suvatimit.
Aktgjykimi i Gjykatës së Luzernit, nuk është i formës së prerë dhe se palët kanë të drejtë ankese.