Aksidenti në magjistralen Pejë – Prishtinë, policia jep detaje

Aksidenti në magjistralen Pejë – Prishtinë, policia jep detaje

Kronika December 01, 2024 - 22:17

Nga aksidenti i cili ndodhi sonte në magjistralen Pejë – Prishtinë, konkretisht në Sllatinë, i lënduar lehtë ka mbetur vetëm njëri nga vozitësit e njërës nga dy veturat të cilat u përshinë në të.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i policisë Daut Hoxha, në një përgjigje për klankosova.

“Ndihmë mjekësore ka kërkuar vetëm drejtuesi i njërës veturë, dhe sipas mjekut në vendngjarje natyra e lëndimeve është e lehtë”, tha ai duke shtuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:15.

Hoxha mes tjerash tregoi se njësitet policore kanë reaguar në vendin e aksidentit, dhe se po zhvillojnë hetime lidhur me shkakun e tij.

Ai apeloi që në këto kohë të ndryshimeve atmosferike të respektohen shenjat e kufizimit të shpejtësisë, dhe se vozitja të përshtatet me kushtet e rrugës.

“Kërkojmë nga drejtuesit e automjeteve që në këto kohë të ndryshimeve atmosferike ku kemi edhe reshje, e si rezultat distanca e dukshmërisë zvogëlohet, poashtu gjatë orëve të mbrëmjës dhe në orët e hershme të mëngjesit krijohen ngrica të rrezikshme si pasojë e temperaturave të ulëta të jenë shumë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e kufizimit te shpejtësisë dhe vozitjen ta përshtatin me kushtet e rrugës, në mënyrë që të shmangin aksidentet që shpesh po rezultojnë me pasoja të renda”, u shpreh Hoxha.