Krejt çka u kap sot në aksionin e ri policor në veri
Policia e Kosovës (PK), pas sulmit kriminal terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit Ibër Lepenci, ka vazhduar sot kontrollet në Varagë të Zubin Potokut dhe Mitrovicë të Veriut.
Gjatë kontrollit në një lokacion në Varagë janë gjetur dy armë gjuetie, një armë karabinë M48 dhe një sasi e municionit të kalibrave të ndryshëm.
Ndërsa në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të një personi të dyshuar, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një armë forme lapsi kimik, 278 fishekë të kalibrave të ndryshëm, përfshi edhe të armës së gjuetisë, tri thika, pesë emblema, një shall maskues me kapelë, një audio incizues, një USB, një bateri dore, një këllëf për pistoletë, një rrip brezi taktik, një sprej, tre krehër të zbrazët për fishekë, një karikator për pistoletë dhe një radiolidhje me adapter.
“Ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, ruajtja e pronës publike dhe private, zbatimi i ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia falënderon mediat e qytetarët për bashkëpunimin dhe fton ata që t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare, si dhe për çfarëdo informate që posedojnë e që ndërlidhet me sigurinë, të lajmërojnë në stacionin më të afërt policor ose në mënyrë anonime në numrat e telefonit 192, 080019999, 038 550 999 dhe në e-mailin zyrtar [email protected].