Profili i metalit ia mori jetën një punëtori të ri në Prizren, arrestohen tre menaxherët e ndërtesës
Foto: Zëri / Ilustrim

Profili i metalit ia mori jetën një punëtori të ri në Prizren, arrestohen tre menaxherët e ndërtesës

Kronika November 25, 2024 - 08:54

Një 25-vjeçar nga fshati Vragoli e Fushë-Kosovës ka humbur jetën dje në vendin e tij të punës në Prizren.

Vdekja e tij ka ardhur si pasojë e rrëzimit të një profili të metalit në një ndërtesë që ishte duke u rinovuar.

Policia e Kosovës bëri të ditur se viktima A.G. ishte goditur në kokë dhe për pasojë ka humbur jetën.

Në raportin ditor të Policisë bëhet e ditur se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona.

“Raportohet se viktima mashkull/K, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të pësuara në vendin e punës derisa ishte duke punuar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, prokurori, si dhe inspektori i punës. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj/kosovar (menaxherë) të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.

Po ashtu prokurori ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion. Rasti vazhdon të jetë në hetime.