Plagosja me armë zjarri në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar e një tjetër në arrati
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtja me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur për Zeri.info, se në lidhje me këtë incident janë identifikuar dy të dyshuar, ku njëri prej tyre tashmë është arrestuar dhe një tjetër është në arrati.
“Ndërlidhur me rastin e mësipërm , veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast. Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati”, ka thënë Borovci për Zeri.info.
Tutje ai ka bërë të ditur se është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia. /Zëri