Gjykata ia kthen paratë të dënuarit për terrorizëm, vërteton se ato nuk u përdoren për kryerjen e veprës penale
Foto: Laura Hasani

Gjykata ia kthen paratë të dënuarit për terrorizëm, vërteton se ato nuk u përdoren për kryerjen e veprës penale

Kronika November 21, 2024 - 16:20

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Nehrudin Skenderit, i cili akuzohej për veprën penale lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmi.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, gjyqtari Kurtaj tha se gjykata ka vendosur që të pandehurit Skenderi të mos i sekuestrohen mjetet, por të njëjtat do t’i kthehen nënës së tij, Amella Skenderit, në vlerën prej 39 mijë euro.

Sipas këtij aktgjykimi, shpenzimet bien në barrë të buxhetit të gjykatës si dhe palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij në formë të shkruar.

Në këtë rast përveç Skenderit të akuzuar për terrorizëm kanë qenë edhe Ardijan Gjurajni, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa, të cilët më 30 janar 2024 nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë dënuar të gjithë së bashku me 30 vjet e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, më 02.07.2024, Gjykata e Apelit kishte aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për terrorizëm, me anë të së cilës ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë vetëm sa i përket çështjes se konfiskimit të mjeteve monetare ndaj të akuzuarit Nehrudin Skënderi dhe për këtë pjesë çështja penale është rikthyer në rigjykim dhe vendosje.

Gjithashtu, në këtë rast akuzohej edhe Shkodran Krasniqi, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër të akuzuarve Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, të cilët akuzoheshin se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë.

I pandehuri Skenderi në dispozitivin e katërt të akuzës akuzohet se më 1 tetor 2021, në restorantin e Pompës së karburanteve “Shell V-Poëer”, në magjistralen Prizren-Suharekë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ia ka dorëzuar shumën prej 2 mijë euro të pandehurit Krasniqi në emër të blerjes së armëve të zjarrit, siç janë 1 RPG raketahedhës, 8 predha RGP dhe 1 palë dylbi, me qëllim që së bashku me të pandehurit Gjuraj, Syla e Bellaqa të kryejnë akte terroriste në Kosovë.

Me këtë, Skenderi akuzohet se ka kryer veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” nga neni 131, paragrafi 1 të Kodit Penal.