Gjykimi ndaj Zoran Vukotiqit vazhdoi edhe sot i mbyllur për publikun
Edhe seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq për katër aktakuzat për krime lufte, është mbyllur për publikun.
Kështu bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se seanca po vazhdon me dëgjimin e e dy mjekeve në cilësinë e dëshmitarëve në këtë rast.
Prokuroria Speciale, kishte ngritur katër aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998-1999, ndaj të akuzuarit Vukotiq, por me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, u bë bashkimi i çështjes, më 22 gusht 2024.
Po ashtu, edhe seanca e 14 tetorit 2024 ishte mbyllur për publikun, teksa gjykatësi kishte bërë të ditur se edhe seancat e planifikuara që të mbahen më 14, 15, 16, 21 tetor 2024, do të jenë të mbyllura.
“Zoran Vukotiq I”
Në aktakuzën e parë, të cilën Prokuroria Speciale e ka ngritur më 20 prill 2017, Zoran Vukotiq ngarkohet se në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare.
Sipas kësaj aktakuze, thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.
Bazuar në aktakuzë, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë: Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu, Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxhaliu dhe Avdi Gërxhaliu.
Më 25 maj 2018, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Vukotiqin e kishte shpallur fajtor për pikën 3 të aktakuzës, duke e dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.
Më 2019, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës I të aktakuzës, që e ngarkonte Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë, e nga e cila pikë ai ishte liruar nga shkalla e parë. Kurse, për pikën II të aktakuzës, Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq, pasi nuk ka gjetur shkelje në këtë pjesë, dhe si rrjedhojë ankesat i ka refuzuar si të pabazuara.
“Zoran Vukotiq II”
Në aktakuzën e dytë të cilën PSRK-ja e ngriti më 16 maj 2017, i akuzuari Zoran Vukotiq ngarkohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Guroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë plaçkitur persona civilë shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e tyre.
Për këtë, Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje me Guroljub Paunoviq, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.
Po ashtu, në kuadër të kësaj aktakuze, Zoran Vukotiq, në bashkëkryerje, akuzohet se në mënyrë ç’njerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar, Sanije Fazliun, Fikrije Shaqirin, Vehbi Xhemën, Zejnepe Xhemën, Nexhmi Xhemën, Besart Xhemën, Zeliha Xhemën, Behar Pllanën, Luljeta Rashicën, Gani Maxherën, Halim Maxherën, Gazmend Shabanin, Ahbet Sahitin, Skender Shabanin, Bejt Osmanin, Shukrije Osmanin dhe Faik Musën, të cilët sipas kësaj aktakuze, janë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat të dëmtuarit e lartcekur i bartin edhe sot.
Më 16 maj 2018, Vukotiq në mungesë të provave ishte liruar nga kjo akuzë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Dariusz Sielicki, fajësia duhet të provohet përtej dyshimit të bazuar.
Më pas, Gjykata e Apelit, më 9 janar 2019, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, pas ankesës së PSRK-së dhe sipas detyrës zyrtare.
“Zoran Vukotiq III”
Aktakuza e tretë e ngritur më 23 qershor 2023 ngarkon Zoran Vukotiqin se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Vukotiq, në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13 vjeçare, B.M., me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë. Më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.
Tutje, gjithmonë sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, ku njëri nga policët e unifomuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M, i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’iu shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.
Me këtë, i akuzuari Vuktotiq, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, në kundërshtim me nenin 142 të lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ), paralel me nenin 3 (1 a), i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, po ashtu e përfshirë me nenin 153 (2), lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për pikën e parë të kësaj aktakuze, Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale. Ndërsa, gjykimi vazhdon për pikën e dytë të aktakuzës.
“Zoran Vukotiq IV”
Aktakuza e katërt ndaj Zoran Vukotiq është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, dhe aktualisht i emëruar si krim kundër njërzimit. Gjykimi në këtë rast ka filluar në nëntor të vitit 2023, por që seanca ishte mbyllur për publikun. Kjo pasi Vukotiq në këtë rast akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës.
Për shkak të volumit të punës, këto lëndë ndaj Vukotiq kanë kaluar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, në një rast tjetër, Vukotiq akuzohej se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore. Sipas prokurorisë, Vukotiq ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Për këtë rast, fillimisht Vukotiq më 11 nëntor 2022 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo Apeli më 15 shkurt 2023 këtë dënim e kishte rritur prej 10 në 13 vite burgim me arsyetimin se dënimi prej 13 vite burgim është në proporcion me peshën e veprës penale të kryer nga Vukotiq. Kurse, Gjykata Supreme e kishte vërtetuar këtë dënim. /BetimipërDrejtësi