Ngjarja tronditëse në Tiranë, ç’dihet për vrasjen e 14-vjeçarit?

Ngjarja tronditëse në Tiranë, ç’dihet për vrasjen e 14-vjeçarit?

Kronika November 19, 2024 - 11:51

Vdekja e një adoleshenti në qendër të Tiranës të hënën në mesditë ka tronditur mbarë opinionin publik në Shqipëri.

Martin Cani, vetëm 14 vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga shoku i tij i klasës, shkruan A2 CNN. I mituri u transportua për në spital, por nuk u mbijetoi plagëve. Në ngjarje mbetën të plagosur edhe një shok i viktimës dhe autori i ngjarjes, të dy jashtë rrezikut për jetën. Të martën Policia arrestoi autorin, gjithashtu 14 vjeç.

Si nisi sherri?

Gjithçka nisi rreth orës 13:10 të së hënës, menjëherë në përfundim të orarit mësimor. Fillimisht, në sherr u përfshinë një grup adoleshentësh të moshës 14 dhe 15 vjeç. Ata ishin nxënës në shkollën “Fan Noli”, 200 metra larg vendit ku ndodhi dhe ngjarja dhe disa të tjerë, nxënës në një shkolle në Sauk.

Pas debateve me fjalët banale, sherri vijoi mes tre adoleshentëve, të cilët morën dhe lëndime me thikë. Një orë pasi mbërriti në spitalin e Traumës, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën.

Të premten, gjatë debatit të tyre ka ndërhyrë roja i sigurisë që i ka ndarë, por të hënën dy të miturit ishin përleshur në banjat e shkollës, shkruan A2 CNN. Më pas, viktima ka lajmëruar shokun e tij që ishte nxënës në Sauk. Pas mbarimit të mësimit ata kanë dalë dhe janë konfliktuar fizikisht disa metra larg shkollës “Fan Noli”.

Motivet e krimit

Policia nuk ka ende të qartë motivet e krimit. Por nga veprimet paraprake ka dyshime që adoleshentët të jenë konfliktuar disa ditë më parë që në rrjetet sociale. Në polici janë shoqëruar disa nxënës që ishin dëshmitarë të këtij konflikti që përfundoi tragjikisht me një vrarë e dy të plagosur. Ata janë marrë në pyetje në prani të psikologut.

Veprimi i autorit pas ngjarjes

Image

Ajo që është më tronditëse në këtë histori është veprimi i autorit të ngjarjes, M.P., i cili ka postuar fotot dhe video ne rrjetet sociale me armën e dyshuar të krimit dhe plagët që kishte marrë edhe vetë. Në një foto, adoleshenti shihet në makinë, me krahun e plagosur, dhe me dorën e majtë të ngritur në shenjë fitoreje.

Reagimet, nga presidenti te klubi i futbollit ku luante adoleshenti

Për ngjarjen tragjike pati reagime të shumtë në rrjetet sociale. Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimin e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.

“Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, shkruan ndër të tjera Kreu i Shtetit, duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit.

Gjithashtu, Presidenti Begaj bëri thirrje për rikthimin e shoqërisë shqiptare te vlerat dhe distancimin nga modelet e dëmshme që u ofrohen sot fëmijëve dhe të rinjve:” Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë”. “Fëmijët dhe të rinjtë tanë, shprehet Kreu i Shtetit, meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.

“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij! Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!

Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen. Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë. Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”, shkroi Begaj.

Klubi i futbollit Dinamo City, ku Cani bënte pjesë në skuadrën U-15, shprehu gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të të miturit.

“Jemi thellësisht të tronditur nga lajmi tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit tonë Martin Cani, pjesë e skuadrës U-15. Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi FC Dinamo City i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani dhe i gjenden pranë në këto momente shumë të vështira. U prehsh në paqe Martin!”, thuhet në mesazh.

Të martën reagoi edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. “Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla! Aq më tepër sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtësisht në mes. Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!”, shkroi Duka në llogarinë e tij në Facebook.

“Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona! Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti! Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij! Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre. Pusho i qetë Martin! Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!”.

Shkolla “Fan Noli” në zi

Humbja e jetës së 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” ka tronditur mbarë opinionin publik dhe komunitetin e prindërve dhe të nxënësve. A2 CNN ishte mëngjesin e sotëm në këtë shkollë, ku edhe pse është një ditë normale mësimi, pjesëmarrja është më pak se 50%. Gazetarja Ornela Joti bisedoi me disa nga nxënëset të cilat do të marrin pjesë në ceremoninë mortore së bashku me mësuesit.

“Na thanë që orët do jenë normale po nuk besoj që do bëjmë mësim. Të gjithë jemi të tronditur. E kishim shok paralele, flisnim me të në korridore, thotë njëra prej tyre”.

Ndërsa një tjetër tregoi e tronditur për A2 CNN momentin pas ngjarjes dhe tha se viktima nuk ishte nxënës problematik edhe pse sipas saj e shanin dhe ziheshin me të, nuk reagonte.

“Sapo kishim mbaruar orën e gjashtë dhe kur nga porta shoh gjak dhe njerëz të tronditur. Shoh shokun e tij që po vraponte për te poliklinika. Të gjithë ishin të tronditur, bërtisnin, qanin, shkonin te poliklinika, se nuk e dinin për shokun dhe vraponin te poliklinika. Kur pamë që ishin zënë. Nuk ka qenë asnjëherë problematik. E shanin, e rrihnin, ziheshin e ka injoruar dhe ai nuk reagonte”.

Politika “bën sherr” për vdekjen e të miturit

Vrasja e 14-vjeçarit një ditë më parë në shkollën Fan Noli ka përfshirë në debat politikën për sigurinë në shkollë. Në seancën e sotme plenare, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa teksa kërkoi 1 minutë heshtje, tha se ishte ngjarje e paralajmëruar. Ajo kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

“Doja t’i kërkoja këtij Kuvendi 1 minutë heshtje dhe do doja të caktoja një orar që të ishim të gjithë dhe të ulnim kokën të gjithë se fajin e kjo ka qeveri. Uroj që zonja Manastirliu që s’ka ardhur këtu të jetë dukë nënshkruar dorëheqjen. Kur ne kemi ngritur zërin për oficerët dhe psikologët në shkolla është zgërdhirë Manastirliu. Paktën e sigurisë në shkolla ku e çuat, te hashashi te droga që hyn nëpër shkolla. Thika, biçaku kjo është paketa? Si ka mundësi të nderuar kolegë që ne duhet ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës, nuk duhet të flasim, ne duhet të jemi të parët që të ngremë zërin, ju doni ta amnistoni ministren Manastirliu dhe të amnistoni Hoxhën. Ne flasim për skandal vetëm kur ka një vdekje”, tha Zhupa.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën duke thënë se i mbaroi koha për procedurë. “Ngjarja tragjike që na ka tronditur të tërëve, e përdorët për të bërë politikë procedurën”.