Kokaina nga Amerika Latine e fshehur në lëkurë gjedhesh përpunohej në laboratorin e Fushë-Krujës, 10 të arrestuarit dalin në GJKKO

Kokaina nga Amerika Latine e fshehur në lëkurë gjedhesh përpunohej në laboratorin e Fushë-Krujës, 10 të arrestuarit dalin në GJKKO

Kronika November 18, 2024 - 14:07

Kanë dalë sot në Gjykatën e Posaçme GJKKO 10 të arrestuarit në kuadër të shkatërrimit të grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine, e cila pasi përpunohej në Shqipëri në një laborator të sofistikuar në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës hidhej në tregun evropian.

Operacioni i Prokurorisë së Posaçme SPAK u ndërmor pasditen e 15 nëntorit 2024 me arrestimin e 7 shtetasve shqiptarë dhe 3 shtetasve të huaj, 1 kolumbian dhe 2 nga Venezuela.

850 lëkurat e kriposura të gjedhit në të cilat është fshehur kokainë, hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Plot 48 ton, në dy ngarkesa, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor, janë vëzhguar nga SPAK-u dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total.

Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë, dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve evropiane.

Shqiptarja.com zbardhi ekskluzivisht dhe rolet e të arrestuarve. Rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Fejsullai 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, ndërkohë SPAK ende po e heton aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë.

Për ta nxjerrë përmbajtjen narkotike nga lëkurët e gjedheve 3 shtetas të huaj udhëtuan drejt kryeqytetit shqiptar. Ata hapën një kompani për futjen e lëkurëve të gjedheve, duke e regjistruar në emër të një shtetasi që rezulton i pa implikuar në trafik dhe përmes saj futën ngarkesat, të cilat u shpërndanë në dy pika, njëra pak kilometra larg Tiranës. Ende nuk dihet sasia totale e kokainës, e sjellë përmes lëkurëve të bagëtive në dy ngarkesa, të shtatorit dhe nëntorit.

Banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj, nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë.

Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37 vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike pasuar nga, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve. Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrës, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-n, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal

Katër shqiptarë banues në Tiranë, në mesin e 10 të arrestuarve, ishin ‘kokat’ e grupit të trafikut të kokainës që u godit nga SPAK. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine, por një pjesë edhe nga Brazili. Për këtë arsye kreu i SPAK, Altin Dumani ishte për vizitë në Brazil, ku u takua me zyrtarë.