Vdes taksisti që u aksidentua ditë më parë me veturë të Policisë
Ka vdekur taksisti, i cili më 5 nëntor ishte aksidentuar me veturë të Policisë në Prishtinë.
Kjo është konfirmuar nga raporti ditor i Policisë së Kosovës.
“Kryqëzimi i rrugëve ‘Dëshmorët e Kombit–Henri Dunan’ Prishtinë, 05.11.2024 - 04:19. Raportohet se viktima M/K, i cili ishte duke u trajtuar në QKUK, më datë 17.11.2024 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Vdekjen e tij e kanë konfirmuar edhe familjarët, të cilët kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet gjatë ditës së sotme në Begaj të Vushtrrisë, shkruan Zeri.info.
Sipërmarrësi Remzi Ejupi, i cili edhe e kishte familjar viktimën, e ka kujtuar si një njeri të dashur dhe me shpirt human.
“Miq dhe familjarë të dashur, ju njoftojmë se pas një aksidenti të rëndë në trafik, ka ndërruar jetë daja jonë Adem Llausha, një person i dashur për ne dhe të gjithë ata që i ka pasur afër. Do ta mbajmë në mend gjithmonë për dashamirësinë e tij, shpirtin human dhe solidaritetin që ka treguar gjithmonë. Ademi na la me pikëllim e zemra të thyera dhe sot po i japim lamtumirën e fundit në varrezat në Begaj të Vushtrrisë. Pusho i qetë daja Adem!”, shkroi Ejupi. /Zëri