Detaje të reja nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor
Foto: Zëri / Ilustrim

Detaje të reja nga rrahja në Ranillug ku u përfshi një zyrtar policor

Kronika November 17, 2024 - 09:25

Dy persona u arrestuan të shtunën në Ranillug për shkak të rrahjes mes veti, njëri prej të cilëve ishte zyrtar policor.

Policia përmes raportit ditor ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit, kur njësitet policore kanë marrë informacion se dy individë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë drejtuar për ndihmë në spital.

“Ranillukë /16.11.2024-02:20. Pas marrjes së një informate se dy persona kanë kërkuar tretman mjekësor si pasojë e një rrahje, njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë kuptuar se të involvuarit në këtë rast ishin dy të dyshuarit meshkuj/k, (njëri nga ta pjesëtarë i PK-së), ku që të dy kishin lëndime trupore, për çka dhe u është ofruar tretmani mjekësorë. Lidhur me rastin është njoftuar IPK-ja. Me vendim të prokurorit pas intervistimit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin ditor të Policisë.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

IPK-ja ka njoftuar se me aktvendim të prokurorisë kompetente të dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj dy të dyshuarve është parashtruar kallëzim penal nga IPK-ja.

“Si pjesë e procedurave administrative për zyrtarin e dyshuar IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tij. Ndërsa, hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim. /Zëri