Drogimi i të miturës në Drenas, Prokuroria ngre dyshime për dhunim – nuk jep detaje tjera
Foto: Ilustrim

Drogimi i të miturës në Drenas, Prokuroria ngre dyshime për dhunim – nuk jep detaje tjera

Kronika November 14, 2024 - 13:13

Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën në Drenas, ku një vajzë e mitur dyshohet se fillimisht është droguar e më pas dhunuar nga një person.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së enjtes ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari.

“Gllogoc 11.11.2024 – 18:00. Viktima femër kosovare e mitur, ka informuar se nga i dyshuari mashkull kosovar, i është dhënë substancë narkotike e llojit kokainë, dyshohet se më pas me viktimën është abuzuar seksualisht”, thuhet në raportin e policisë.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në një përgjigje për Telegrafin, kanë bërë të ditur se mbi të dyshuarin rëndon vepra penale “dhunim” dhe “Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope”.

Prokuroria nuk ka shpalosur detaje të tjera duke thënë se për shkak të fazës së hetimeve.

“Sa i përket rastit për të cilin keni kërkuar informacione, ju njoftojmë se rasti është iniciuar për shkak të veprës penale dhunimi dhe Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope, kurse me vendim të prokurorit të shtetit një person është ndaluar për 48 orë, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës prokurori i shtetit është duke e hetuar rastin, ndërsa më shumë informata në këtë fazë të procedurës nuk mund të publikohen”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në media është raportuar se i dyshuari që ka kryer këtë vepër penale është një 29 vjeçar dhe se përveç tij dyshohet se është i përfshirë edhe një person tjetër.