Arrestohet i dyshuari kryesor për sulmin me thikë në Ferizaj, edhe në të kaluarën mbajti burg për vrasje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ferizaj ditën e hënë, ku një person sulmoi me thikë katër persona në tri lokacione të ndryshme të qytetit.
Mirëpo, lidhur me rastin Policia fillimisht ka arrestuar një person, e i cili më pas është liruar, pasi ka rezultuar se ai u arrestua gabimisht.
Lajmin e ka konfirmuar Vjosa Baftiu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Ditën e hënë është arrestuar një person, por më pas është liruar, pasi nuk ka qenë ai i dyshuari. Sot gjatë ditës është arrestuar i dyshuari tjetër, i cili është dërguar në mbajtje. Ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vrasje e rëndë në tentativë’”, tha Baftiu për Zeri.info.
Baftiu po ashtu ka bërë të ditur se i dyshuari më herët ka qenë në burg, i dënuar për vrasjen e një gruaje më 2016.
I dyshuari është me inicialet F.I., viti i lindjes 1962.
Ndryshe, viktimat e sulmit janë duke u trajtuar në QKUK dhe në Spitalin e Ferizajt.