Shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve
Shtatë raste të dhunës në familje janë evidentuar dje në Polici.
Nga dy raste janë në Prishtinë e Pejë, nga një në Fushë-Kosovë, Deçan e Gjakovë.
Në njërin nga rastet në kryeqytet, dy burra dhe një grua po dyshohen se janë rrahur mes vete.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti nën hetime”, tha Policia.
Në Deçan një person u arrestua nën dyshimin se ka ushtuar dhunë fizike e psikike ndaj familjes së tij.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë tij i është gjetur dhe konfiskuar një armë me leje përkatëse pronë e të dyshuarit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, shkruan në raportin 24-orësh të Policisë.
Rasti tjetër në Prishtinë s’ka të bëjë me sulm fizik, por me dhunë psikike po. Një burrë po dyshohet se këtë vepër penale e ka bërë ndaj anëtares së familjes.
“I dyshuari është intervistuar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha Policia.
E në Fushë Kosovë, një person u arrestua jo veç për dhunë psikike ndaj familjares, por edhe për kërcënim verbal. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Për dhunë psikike ndaj familjareve, në raste të ndara po dyshohen edhe dy persona në Pejë. Njëri nga të dyshuarit u lirua me procedurë të rregullt, ndërsa tjetri gjendet në arrati.
Për dallim nga disa vendet e lartcekura, në Gjakovë viktima s’po dyshohet të jetë grua, por një burrë. Në këtë qytet një person u arrestua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.
“I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, tha Policia.