Arrestohen një doganier dhe një polic për mitëmarrje

Arrestohen një doganier dhe një polic për mitëmarrje

Kronika November 05, 2024 - 12:15

Mbrëmë Task-Forca e përbashkët Doganë – Polici, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni, ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

“Menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtëligjshme, u njoftuan Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës, të cilët në koordinim realizuan arrestimin e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme. Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet në Pikën Kufitare Hani i Elezit”, thuhet në njoftim.

Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit doganor dhe policor të Kosovës. Task-Forca Doganë - Polici mbetet e angazhuar në mënyrë të vendosur për të çrrënjosur çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe për të siguruar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit. Dogana e Kosovës dhe IPK-ja inkurajojnë qytetarët të raportojnë çfarëdo akti të paligjshëm përmes mekanizmave të dedikuar të raportimit për të rritur më tej transparencën dhe sigurinë në shërbimet tona”, thuhet në njoftim. /Zëri