Grabitja e miliona eurove në Aeroportin e Tiranës, SPAK-u kërkon 19 vjet burg për Talo Çelën

Grabitja e miliona eurove në Aeroportin e Tiranës, SPAK-u kërkon 19 vjet burg për Talo Çelën

Kronika November 04, 2024 - 15:06

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar këtë të hënë dënimin me 19 vjet burg për Talo Çelën, i akuzuar si një nga grabitësit e miliona eurove në vitin 2019, nga avioni që do të transportonte valutat drejt Austrisë në aeroportin e Rinasit.

I pandehuri Çela u gjykua në mungesë, pasi masa e sigurisë “arrest në burg” e dhënë ndaj tij nuk është ekzekutuar nga policia, që ka dështuar në disa aksione radhazi për ta vënë në pranga.

Seanca e radhës ku pritet të merret vendimi për Çelën është caktuar për në datën 21 nëntor, në orën 10:00.

Talo Çela është një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, i cili u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në arrestimin e Nuredin Dumanit.

Për grabitjen në Aeroportin e Rinasit në vitin 2019, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar dënoi me 122 vjet burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Respektivisht, Klement Çala u dënua me 20 vjet, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me nga 17 vjet burg.