Pagoi dy të mitur për t’ia vënë flakën një veture në Ferizaj, një muaj paraburgim të dyshuarit
Foto:Ilustrim

Pagoi dy të mitur për t’ia vënë flakën një veture në Ferizaj, një muaj paraburgim të dyshuarit

Kronika November 01, 2024 - 15:20

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 24 tetor 2024 në Ferizaj me dashje ka shtytë dy të miturit që të kryejnë veprën penale “Zjarrvënia”, në atë mënyrë pasi ishte i mllefosur me të dëmtuarin A.D., në lidhje me sjelljen e tij ndaj të dashurës së të pandehurit, shtytë të miturin (2) që për çmimin prej 1.000 € t’ia vë zjarrin veturës së të dëmtuarit, kështu që të miturit rreth orës 03:26 në parkingun e qendrës tregtare në Ferizaj i mituri (1) me një çekan e thyen dritaren e derës së veturës së të dëmtuarit, e pastaj i mituri (2) hedh benzinë në brendi të veturës dhe i`a vë flakën, e cila dëmtohet tërësisht, vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 19.000 €.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftim. /Zëri