Aksidenti me fatalitet në Malishevë, Policia jep detaje
Një person duke drejtuar motoçikletën dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin dhe kishte goditur anësorët e metaltë të urës, ku si pasojë pasagjeri ka vdekur.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 13:45, në fshatin Llozicë të Malishevës.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“I dyshuari mashkull kosovar, duke drejtuar motoçikletën, dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin dhe kishte goditur anësorët e metaltë të urës, ku si pasojë viktima mashkull kosovar – pasagjer ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekje e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari - drejtuesi i motoçikletës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.