Goditet rrjeti i mashtruesve që përmes një “Call Center”-i në Kosovë ua vodhën gjermanëve 650 mijë euro
Zyra e Prokurorit Publik të Konstanzit, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Policisë Kriminale Shtetërore-Wurttenmberg, është goditur një rrjet mashtruesish që kanë vepruar ndërkombëtarisht përmes një “Call Center”-i me bazë në Kosovë.
Personat që kanë punuar në këto “Call Center” kanë pretenduar se veprojnë në emër të institucioneve financiare mbikëqyrëse për të rimbursuar palët e dëmtuara për paratë që kanë humbur, në këmbim të një paradhënie.
Zyra e Prokurorit Publik të Konstanzit në Gjermani thekson se megjithatë, në realitet, viktimat nuk kanë marrë asnjë rimbursim dhe janë dëmtuar sërish financiarisht.
“Vetëm qendra e thirrjeve tashmë e shkatërruar shkaktoi dëme prej të paktën 650.000 eurove, pavarësisht punës intensive parandaluese nga policia në Gjermani”, thekson komunikata.
Për këtë rast është arrestuar një shtetas i Kosovës i moshës 26-vjeçare dhe janë sekuestruar prova të shumta, duke përfshirë edhe armë zjarri pa leje.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se me datë 24 tetor 2024 është kontrolluar qendra e thirrjeve bashkë me oficerët e Policisë së Gjermanisë.