Prokuroria jep detaje nga arrestimi i policit në Prishtinë, ku u konfiskuan disa substanca narkotike
Foto: Zëri

Prokuroria jep detaje nga arrestimi i policit në Prishtinë, ku u konfiskuan disa substanca narkotike

Kronika October 29, 2024 - 11:54

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e zyrtarit policor dhe dy të dyshuarve të tjerë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se prokurori kujdestar më datë 28.10.2024, rreth orës 19:00 në mbrëmje, nga Policia e Kosovës është njoftuar se pasi ishte ndaluar një veturë e dyshuar nga policia në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në të cilën gjendeshin dy persona, pas kontrollit të personave është gjetur një sasi e dyshuar e substancave narkotike.

“Policia në konsultim me prokurorin kujdestar ka kryer kontrollin në një lokal, ku ka gjetur një sasi të dyshuar të substancave narkotike, si dhe në dy vendbanime të tjera në të cilat ka rezultuar me gjetjen e një sasie tjetër të dyshuar të substancave narkotike. Me vendim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar tre personat e dyshuar për 48 orë, ku një nga të dyshuarit ka rezultuar të jetë zyrtar policor”, thuhet në njoftim.

Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Freeshopi”, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, njëri nga ta zyrtar policor. /Zëri