Një person në Shtime lëndohet me burgi derisa po punonte në shtëpi, Policia jep detaje
Foto: Laura Hasani

Një person në Shtime lëndohet me burgi derisa po punonte në shtëpi, Policia jep detaje

Kronika October 18, 2024 - 15:37

Një person është lënduar me burgi derisa ishte duke punuar në një shtëpi në Shtime.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veselaj, ka konfirmuar rastin në fjalë.

Veselaj ka thënë se ngjarja ka ndodhur të enjten në mesditë dhe se personi i lënduar pasi ka marrë ndihmën e parë në Shtime është dërguar në QKUK.

Personi është vetëlënduar me një burgi, derisa ka qenë duke i ndarë drunjtë në shtëpinë e tij.

“Më datën 17.10.2024, rreth orës 11:00, Policia e Stacionit në Shtime ka pranuar një informatë se në Shtëpinë e Shëndetit në Shtime një person kishte marrë lëndime në kokë dhe pasi ka marrë ndihmën e parë në Shtime, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar ne QKUK - Prishtinë. Policia kishte mësuar se ai ishte vetëlënduar nga një mjet shpues (burgi), derisa ishte duke i ndarë drunjtë në shtëpinë e tij. Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i Shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar shënim zyrtar”, tha Veselaj për express.