Arrestohet në Lipjan i dyshuari për vrasje në tentativë dhe fajde, Policia i gjeti armë e fishekë në shtëpi
Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë ka arrestuar një person të dyshuar për një rast të vrasjes në tentativë dhe disa vepra të tjera penale.
Ngjarja ka ndodhur më 2 qershor 2024 në fshatin Shalë të Lipjanit.
Operacioni policor është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore, ku hetuesit kanë kryer kontroll në shtëpinë dhe pronat përcjellëse të të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, janë sekuestruar një armë zjarri, municion dhe gjësende të tjera që mund të përdoren si prova në procesin gjyqësor.
I dyshuari, M.A., 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit nga hetuesit, është vendosur në ndalim me urdhër të prokurorit të shtetit.
Ai përballet me akuza për:
– Vrasje në tentativë,
– Mbajtje pa leje të armëve,
– Tregti të paautorizuar të armëve dhe materieve shpërthyese,
– Fajde.
Policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të identifikuar të tjerë të përfshirë, nëse ka.