Gjenden 75 mijë euro të padeklaruara në një qese plastike të fshehur nën ulësen e prapme të një veture në Merdar
Policia e Kosovës gjatë kontrollit të një veture në pikëkalimin kufitar në Merdar ka gjetur 75 mijë euro bankënota të padeklaruara.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga Policia e Kosovës.
Tutje në njoftim thuhet se në veturë gjendeshin tre persona.
“Policia Kufitare, në kuadër të planit operativ me karakter ndërkombëtar, realizuar në bashkëpunim me ‘Frontex’, ‘Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Mobile 7’, më datën 15.10.2024, në pikëkalimin kufitar në Merdar, në dalje të RKS-së, gjatë kontrolleve të shtuara është bërë kontrollimi i automjetit me targa RKS, në të cilin gjendeshin tre persona meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) euro bankënota të padeklaruara”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, fillimisht, te tre personat janë gjetur nga 10 mijë euro bankënota, gjersa gjatë kontrollit të mëtejshëm në një qese plastike të fshehur nën ulësen e prapme të automjetit është gjetur edhe një shumë prej 45 mijë euro bankënota të padeklaruara.
“Mjetet financiare të padeklaruara janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar agjencisë kompetente për procedurë të mëtejme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.