Therja me thikë në Mitrovicë, i mituri dërgohet në QKUK për trajtim
Foto: Laura Hasani

Therja me thikë në Mitrovicë, i mituri dërgohet në QKUK për trajtim

Kronika October 16, 2024 - 11:05

I mituri, i cili sot rreth orës 9:45, gjatë një përleshjeje, është therur me thikë nga një i mitur tjetër, është dërguar për trajtim nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi lëndimet janë të rënda.

Kështu thanë nga Zyra për media e spitalit të përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Sipas tyre, plagët janë në barkë dhe në gjymtyrët e tjera të trupit.

“Pacienti është sjellë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe i janë bërë të gjitha shërbimet e nevojshme. Pacienti ka lëndime serioze në bark dhe në gjymtyrë. I njëjti është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK”, kanë thënë nga Zyra për media e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.

Edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, për Telegrafin ka thënë se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe po merret me rastin.

Ai tha se në këtë rast janë përfshirë dy të mitur, ku i dyshuari është arrestuar.

“Njëri është arrestuar, ndërsa tjetri i cili është therur nga mjeti i mprehtë është dërguar në QKUK për trajtim”, ka thënë Preteni.

Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në lidhje me rastin është arrestuar një i mitur dhe njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve.