Gjenden armë e boksa hekuri në autobusin me nxënës në Ferizaj
Një revole, dy boksa të hekurit dhe dy armë të ftohta janë kapur në një autobus urban në Ferizaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të martën është kryer një kontroll në autobusin që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj - Greme dhe Gaçkë, ku nxënësve u janë konfiskuar këto armë.
Për këtë është iniciuar rast “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
“Zyrtarët policorë me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht me nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur :një armë zjarri, dy thika dhe një ‘box hekuri’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Vite më parë në disa shkolla të mesme në Ferizaj ishin konfiskuar mbi 40 thika dhe armë zjarri. /Zëri