Qytetarit nga Prizreni i gjenden 15 monedha floriri në Morinë
Një 56-vjeçar nga Prizreni, i identifikuar si shtetasi me iniciale F. A., është proceduar penalisht në Morinë pasi tentoi të fuste në Shqipëri 15 monedha floriri pa i deklaruar.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit tip “BMW”, të drejtuar nga F. A., policia gjeti dhe sekuestroi monedhat floriri, të cilat po tentoheshin të futeshin në Shqipëri në shkelje të ligjeve në fuqi.
Pas përfundimit të procedurave të para, materialet iu referuan Prokurorisë, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Njoftimi i Policisë:
Tentoi të fuste në Shqipëri, sende me vlerë (monedha floriri), pa i deklaruar, procedohet penalisht 56-vjeçari (shtetas kosovar). Sekuestrohen monedhat.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar automjeti tip “BMW”, me drejtues shtetasin kosovar F. A.
Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur 15 monedha floriri, të cilat ai po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar F. A., 56 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.