Dyshohet se kanosi dy zyrtarë policorë, arrestohet dhe suspendohet polici në Fushë-Kosovë
Foto: Zëri / Ilustrim

Dyshohet se kanosi dy zyrtarë policorë, arrestohet dhe suspendohet polici në Fushë-Kosovë

Kronika October 07, 2024 - 10:28

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se dje është arrestuar një zyrtar policor në Fushë-Kosovë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Ai dyshohet se i ka kanosur dy zyrtarë policorë të tjerë.

“Inspektorati Policor kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës se ky zyrtar policor (zyrtar i njësisë për mbrojtje të afërt, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dyshohet se ka kanosur dy zyrtarë policorë të kanë qenë në detyrë”.

IPK-ja thotë se dyshohet që kanosja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në komunikacionin rrugor në rrugën “Dardania”, në kryqëzim me rrugën “Hajrullah Zymi”, pranë shkollës “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore, pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar, kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.