Viktimat e aksidentit në Badoc janë rreth moshës 20 vjeç, njeri prej tyre akoma s’është identifikuar
Kryeprokurori i Prishtinës jep detaje rreth aksidentit tragjik në Badoc, thotë se njëri prej viktimave ende s’është identifikuar
Një aksident tragjik ka ndodhur të shtunën mbrëma në rrugën Gjilan-Prishtinë, ku një veturë me tre të rinj ka rënë në Liqenin e Badovcit.
Sipas informatave ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur autoritetet janë njoftuar se një veturë kishte rënë në liqen.
Njësitë e emergjencës, përfshirë Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të të rinjve pas ndërhyrjes së ekipeve të zhytësve të FSK-së.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zjenullah Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se dy nga viktimat tashmë janë identifikuar, ndërsa njëri ende mbetet i paidentifikuar.
“Dy viktima janë identifikuar, ndërkaq njëri ende jo. Të rinjtë kanë qenë rreth moshës 20 vjeç,” ka thënë Gashi.
E shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka treguar se vetura ishte zhytur në thellësinë e liqenit dhe përpjekjet për ta tërhequr nuk ishin të lehta.
“Me ndihmën e peshkatarëve dhe më pas të FSK-së, u arrit të gjendet vendndodhja e veturës dhe të nxirren trupat e viktimave,” ka deklaruar Gashi.
Ai bëri të ditur se dy trupa janë tërhequr nga uji, ndërkaq trupi i viktimës së tretë është gjetur brenda veturës.
Vdekjen e viktimave e konstatuan ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, tha zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti,
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan – Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit dhe shkakun që çoi në këtë tragjedi.