E vrau mizorisht një grua në vitin 2013, aktakuzë shqiptarit të ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar
Foto: Zëri / Ilustrim

E vrau mizorisht një grua në vitin 2013, aktakuzë shqiptarit të ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar

Kronika October 01, 2024 - 14:22

Prokuroria Themelore në Prizren, në Departamentin e Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj S.H., një shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet në paraburgim që nga data 30 gusht 2024, pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar.

Ai akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, sipas Nenit 179 të Kodit Penal.

Ngjarja, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 4 qershor 2013, në Prizren, kur S.H., së bashku me S.K., ka privuar nga jeta I.K., një këngëtare - valltare.

Dyshimet sugjerojnë se pas takimit me I.K., që punonte në një lokal në Mitrovicë, ata filluan ta godisnin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar vdekjen e saj si rezultat i gjakderdhjes masive.

“Më 04.06.2013, në periudhën kohore prej orës 03:23 min. dhe 06:47 min., në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinëzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra - Republika e Shqipërisë, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare - valltare në Mitrovicë në lokalin “Sh.”, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët.

Pasi familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk është pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S.H., me thikë së bashku me S.K., fillojnë të godasin I.K., në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë prerëse – shpuese, me ç’rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë, e që është konstatuar sipas raportit të autopsisë së kryer më datë 05.06.2013”, thuhet në njoftim.

Prokurori ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Zëri