Rigjykimi për Spitalin Modular në Tetovë, Ismaili: Persona të tjerë duhet të jenë të akuzuar

Rigjykimi për Spitalin Modular në Tetovë, Ismaili: Persona të tjerë duhet të jenë të akuzuar

Kronika September 25, 2024 - 11:16

Sot në Gjykatën Themelore të Tetovës ka nisur procesi i rigjykimit të rastit të djegies së Spitalit Modular, në të cilin humbën jetën 14 persona.

Përfaqësuesi i familjarëve të viktimave, Mumin Ismaili, tha se nuk janë të kënaqur me këtë proces gjyqësor, duke shtuar se duhet persona të tjerë të jenë të akuzuar për djegien e Spitalit Modular.

“Rigjykimi filloi, rigjykimi mbaroi, me pretendimin se avokati i Artan Etemit është i sëmurë dhe rigjykimi u anulua për në nëntor. Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me këtë proces gjyqësor, bëjnë skena të kota, që nuk i kanë hije një kombi apo njeriu, pasi u dogjën 14 persona”.

“Presim në nëntor të shohim nëse do të ketë gjykim ose jo. Ne e kemi cekur në secilën seancë se në këtë akuzë ka zinxhir më të madh të akuzuarve, por shteti hesht në këto raste. Duhet të jenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili tashmë është bërë kryetar partie, por nuk është”, tha mes të tjerash Ismaili.

Ndryshe, vitin e kaluar Gjykata Themelore Penale në Tetovë dënoi Florin Besimin dhe Artan Etemin me 1 vit e 6 muaj burg me kusht dhe 1 milion dinarë dënim me para, ndërsa Boban Vuçevski dhe Klinika e Tetovës si institucion u liruan nga akuzat. Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit në Gostivar ktheu në rigjykim rastin.