Vdes personi që u plagos në Mitrovicë
Ka vdekur 40-vjeçari, i cili u plagos sot me armë zjarri në rrugën “Fatime Hetemi” në Mitrovicën Jugore.
Lajmin e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
“Të informojë se pacienti nga Mitrovica nuk mundi t’u përballojë plagëve edhe përkundër të gjitha masave të ndërmarra të reanimimit kardio pulmonar, ka vdekur”, ka thënë Syla për telegrafin.
Gjatë ditës së sotme një person rreth moshës 40-vjeçare me inicialet P.Z. është plagosur rëndë në rrugën “Fatime Hetemi”, në Mitrovicën Jugore.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me rastin.
“Prokurori ka dalë në vendngjarje, si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë një person. Prokurori ka hapur rast dhe e ka cilësuar si ‘Vrasje e rëndë në tentativë’”, ka thënë Preteni.
Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi, i dyshuari është arratisur dhe nuk dihet identiteti i tij.