Operacion policor kundër fajdeve në Prishtinë, katër të arrestuar [pamje]
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë - Departamenti i Krimeve të Rënda, sot ka realizuar operacion policor, me ç’rast ka zbatuar urdhër kontrolli në tri lokacione në Prishtinë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale “Fajde” dhe “Organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm”, transmeton Zeri.info.
“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm”.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë.
Katër personave të dyshuar A. A., S. A., E. G. dhe A. G., pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, u caktohet masa e ndalimit për 48 orë. /Zëri