Shtyhet seanca për rastin e Lulzim Fejzullahut, avokati Gashi kritikon Gjykatën e Apelit për mungesë serioziteti
Seanca gjyqësore për vrasjen e Lulzim Fejzullahut nga Podujeva, e cila ishte planifikuar të mbahej sot, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të miturve të përfshirë në rast.
Avokati në fjalë ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore, gjë që bëri të pamundur vazhdimin e procesit për këtë çështje.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin avokati i familjes Fezjullahu, Tomë Gashi.
Gashi ka thënë se familjarët e të ndjerit njoftimin për shtyrje të seancës e kanë kuptuar vetëm pasi ka ardhur në seancën që ishte paraparë të fillonte sot në orën 10:30.
Gashi ka theksuar se Gjykata e Apelit duhet të tregojë më shumë seriozitet në trajtimin e çështjeve të tilla.
“Gjykata e Apelit, nëse merr njoftime zyrtare, qoftë në formë të e-maileve ose nga avokatët, ose palët e tjera në procedurë, duhet të njoftojë palët e mbetura të mos paraqiten në seancë”, deklaroi ai.
Avokati bëri të ditur se seanca e radhës pritet të mbahet më 25 shtator, në orën 11:00.