Konfiskohet mjaltë në aeroportin “Adem Jashari” në vlerë të rreth tre mijë eurove
Dogana e Kosovës ka konfiskuar më 12 shtator në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” 56 copë mjaltë nga një udhëtar, i linjës Stamboll – Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, vlera totale e mallit është 2.922.78 euro, ku pas kontrollit të valixheve dhe analizës së imazheve nga skaneri, u hasën mallra të padeklaruara, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Më 12.09.2024, rreth orës 20:15, në Pikën e Kalimit Kufitar Aeroporti - Arritje, gjatë fluturimit të linjës Stamboll - Prishtinë, është selektuar për kontroll një udhëtar, i cili kishte zgjedhur kanalin e gjelbër për të kaluar.
Pas kontrollit të valixheve dhe analizës së imazheve nga skaneri, u hasën mallra të padeklaruara si më poshtë:
- 38 copë mjaltë Manuka “Airborne” 30+ (500 g), me vlerë 2.047.44 €
- 18 copë mjaltë Manuka “Airborne” 50+ (500 g), me vlerë 875.34 €
Vlera totale e mallit të padeklaruar është 2.922.78€, ndërsa shmangia nga obligimet doganore është llogaritur në 871.00 €.
Ky rast është trajtuar sipas procedurave ligjore të Doganës së Kosovës dhe rrjedhimisht mallrat janë sekuestruar.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ruajtur sigurinë dhe integritetin e kufijve tanë, duke garantuar që të gjitha mallrat të deklarohen në përputhje me ligjin.