IPK-ja rekomandon suspendimin e një zyrtareje policore nën dyshimin për veprën penale “kanosje”
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se hetuesit e institucionit i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtare policore në Prishtinë me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale “kanosje”.
“Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në interes të hetimit të rastit.Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje në orët e pasdites nga ankuesi fillimisht përmes telefonit”, njofton IPK-ja.
IPK-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas pranimit të informacioneve fillestare hetuesit e IPK-së kanë marrë një deklaratë nga ankuesi i cili ka përshkruar rrethanat e rastit.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e IPK-së.