Policia parandalon dy raste të kontrabandimit me mallra nga Serbia në Kosovë

Policia parandalon dy raste të kontrabandimit me mallra nga Serbia në Kosovë

Kronika September 13, 2024 - 15:06

Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të kontrabandimit me mallra nga Serbia për në Kosovë.

Më datën 12.09.2024, gjatë vëzhgimit të brezit kufitar të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në fshatin Stublinë, zyrtarët policorë të angazhuar në plan operativ, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitarw, Dobrosin - Stublinë.

Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin e lartcekur është ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte e dyshuara femër, me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer.

“Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, duke përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike”.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse policore sipas procedurave të parapara, si dhe me urdhër të prokurorit kompetent personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i konfiskuar është dërguar në terminalin doganor për vlerësim nga ana e Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, rasti i dytë ka ndodhur sot, në të njëjtin lokacion, në një rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitare, Dobrosin - Stublinë, ku në hyrje të fshatit Dobërçan kanë ndaluar dy vetura me targa të huaja, të cilat po drejtoheshin nga dy të dyshuarit meshkuj shtetas kosovarë.

“Gjatë kontrollit të automjeteve të ndaluara janë gjetur të ngarkuara mallra/pjesë të ndryshme (të përdorura) të automjeteve, pajisje bujqësore dhe mjete tjera pune”.

“Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit kompetent, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli dhe automjetet e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor për numërim, vlerësim dhe procedim nga ana e Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Zëri

Image

Image

Image