Policia nis hetimet për pamfletet kërcënuese në veri
Policia e Kosovës ka nisur hetimet, pas shfaqjes së disa pamfleteve që përmbajnë mesazhe kërcënuese në komunat veriore.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar se pamfletet janë hasur në disa lokacione në veri.
Elshani ka theksuar se për momentin nuk ka të dyshuar, ndërsa rasti është iniciuar nga Prokuroria Speciale si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”. Ai ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar hetimet për ta ndriçuar rastin.
“Konfirmojmë se në disa lokacione në veri të vendit kemi hasur në disa pamflete me përmbajtje të urrejtjes dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale, rasti iniciohet si nxitje e urrejtjes dhe përçarjes. Nuk kemi të dyshuar e as të arrestuar. Policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, thekson Elshani për RTKlive.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi me pamfletet kërcënuese që janë ngjitur në vende të ndryshme në veri në orët e para të së premtes.
“Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska. Ju okupatorë zgjoni egërsira, ju presim në veri. Komandant, vetëm thuaj, fluturojmë si plumba!”, thuhet ndër të tjera në pamfletet e vendosura në veri.
Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për agresionin ndaj Kosovës, ku më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ai kërkohet nga INTERPOL-i, por vazhdon të endet i lirë në Serbi.