Bastisje në nëntë lokacione në Prishtinë, sekuestrohen armë e municione
Policia e rajonit të Prishtinës ka përfunduar me sukses një operacion gjithëpërfshirës në disa lokacione të ndara.
Policia ka njoftuar se operacioni rrodhi pas një hetimi gjithëpërfshirës mbi informacione të mbledhura nga burime të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe ekspozime të armëve nga persona të caktuara në rrjete sociale dhe rezultoi me arrestimin e disa personave, si dhe zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municioneve.
Në këtë operacion janë kryer nëntë bastisje, si dhe janë sekuestruar; një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, dy revole, si dhe një sasi e konsiderueshme municioni, transmeton Zeri.info.
“Ndërlidhur me rastin, me rekomandimin e prokurorit të Shtetit, Policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës’, si dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ndërkaq të dyshuarit janë proceduar më tej”.
“Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet tona të vazhdueshme kundrejt armëve të zjarrit pa leje, për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve”.
“Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri